Është operuar me sukses sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe Levantes në Spanjë, Armando Sadiku. Sulmuesi elbasanas ka bërë një ndërhyrje pas dëmtimit në ligamentet kryesore të gjurit në ndeshjen miqësore të Levantes kundër holandezëve të Heerenveen. Sadiku ka njoftuar të gjithë tifozët e tij me anë të rrjeteve sociale se çdo gjë ka shkuar më së miri.
“Diçka e papritur ndodhi! Por falë ndihmës së Zotit çdo gjë shkon mirë dhe sot u ktheva në shtëpi pas operacionit! E di që nuk do të jetë e lehtë të qëndroj për një kohë kaq të gjatë jashtë fushës, por kush më njeh, e di mirë se nuk është hera e parë që kaloj një dëmtim të tillë. Fjalët nuk më pëlqejnë por do të punoj fort që të kthëhm përsëri! Faleminderit të gjithëve për mesazhet inkurajuese.”
Ishin këto fjalët e Armandos, që shoqëronin foton e postuar prej tij pas kthimit në shtëpi.
Ndërkohë tek Levante nuk kanë vonuar të gjejnë një zëvendësues për Sadikun. 6 muaj mungesë të sulmuesit shqiptar janë shumë, dhe drejtuesit e skuadrës spanjolle kanë zyrtarizuar transferimin e 22-vjeçarit Raphael Dwamena. Sulmuesi nga Gana transferohet nga skuadra e Zurich në Zvicër, për shumën e 6 milionë eurove.