Mbetet në ajër e ardhmja e Armando Sadikut. Elbasanasi do të kthehet në stërvitje me Levanten në ditët e para të korrikut, por menaxherët e tij janë vënë që tani në kërkim të një sistemimi të ri, pasi ai nuk pritet të ketë hapësira në klubin spanjoll. Lajmi i fundit mbi sulmuesin e Kombëtares kuqezi vjen nga Turqia. Aty ku flitet se është Trabzonspori, që interesohet për të siguruar shërbimet e tij. Në këtë mënyrë ideohet një sulm i mundshëm, që do të përbëhej nga Sadiku dhe ish-sulmuesi i Partizanit, Kaleb Ekuban, i cili u transferua gjatë verës së kaluar te skuadra turke.
Futbollisti nga Elbasani, pas një 6-mujori të kaluar tek Lugano, kërkon të shkojë në një ekip, ku të luajë rregullisht. Zgjidhja mund të vijë nga Turqia, ku Trabzonspor kërkon pikërisht një partner për Ecuban në repartin e avancuar. Kështu që Sadiku është njëri prej alternativave që po vlerësohet. Konkretisht është duke u menduar transferimi në formë huazimi i lojtarit nga Levante, së paku për një sezon, me të drejtën e blerjes së kartonit të tij nëse përmbush pritshmëritë.
Elbasanasi përjetoi një sezon të vështirë, pasi kaloi një dëmtim në gju dhe u detyrua të operohej. Ai luajti për Luganon nga janari ku filloi të merrte minuta dhe synimi është që tani të rikthehet në Spanjë për të qenë nën urdhrat e trajnerit Paco Lopez, të paktën për fazën përgatitore verore. Mirëpo ai nuk e ka në plane, prandaj Sadiku po sheh mundësinë e largimit. Spanjollët do të ishin dakord me një opsion të tillë. Megjithatë, nga ana tjetër Levante kërkon të marrë mbrapsht 1 milion eurot që shpenzoi për kartonin e tij, kur e bleu përpara 2 vjetësh nga Legia e Varshavës.