ARMANDO SADIKU FLET PER SFIDEN SI ISH ME MALAGAN

Sport

Këtë fundjavë, Cartagena do të vizitojë La Rosaledan për t’u ndeshur kundër Malagas vendase me rastin e javës së 36-të të Segunda División. E në radhët e kartagjenasve është një njohje e vjetër e Malgas, si shqiptari Armando Sadiku, shënuesi më i mirë me këtë skuadër në sezonin 2019-2020. Për të kaluarën e tij në Costa del Sol, Sadiku ka folur në një intervistë për Radio Marca. “Kam dy momente shumë speciale. Një takim kundër Elches, kur në pjesën e parë po humbisnim 2-0 dhe publiku na mbështeti fuqishëm, aq sa arritëm të barazojmë në minutat e fundit. Gati po rrëzohej stadiumi dhe atmosfera ishte mjaft elektrizuese. Ishte një ndeshje që do ta mbaj mend gjatë. Kurse rasti tjetër ishte në Cadiz, që shënoi i pari, por falë 2000 tifozëve që na përkrahën me të gjitha forcat, arritëm të dalim fitimtarë. Edhe kur ne u largua nga stadiumi me autobus, ata ishin ende në fushë”, tregoi elbasanasi, të cilit Malaga dhe La Rosaleda i kanë mbetur në zemër. E sigurisht që përballja e parë si kundërshtar do të jetë tepër speciale. “Nuk e mohoj që do të kem emocione. Por do të kem mundësinë edhe të rishikoj disa miq të vjetër, si dhe trajnerin Peliser, të cilin po ashtu e njoh mirë. Mirëpo gjatë 90 minutave kam detyrën të tregohem profesionist. E do të përpiqem të ndihmoj ekipin tim për të bërë gol. Por nëse shënoj, parlajmëroj se nuk kam ndërmend të festoj për respekt të tifozëve dhe miqve të mi në Malaga”, ka përfunduar Sadiku, që nuk e përjashton edhe ndonjë rikthim të mundshëm në të ardhmen, pikërisht në klubin ku pa më të voglin dyshim, ka pasur kulmin e tij të realizimeve në futbollin spanjoll.