Zgjedhja e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka në postin e zv.Presidentit të UEFA-s është arritje e përmasave të jashtëzakonshme, për futbollin brenda kufinjve të Shqipërisë e më gjerë. Për herë të parë një shqiptar zgjidhet në postet më të larta drejtuese të institucioneve ndërkombëtare. Padyshim që bëhet fjalë për një vlerësim për kontributin e vyer dhe eksperiencën e presidentit Duka në zhvillimin e futbollit jo vetëm shqiptar. Një tjetër votëbesim i rëndësishëm për Dukwn, që pak muaj më parë u zgjodh për herë të dytë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Kongresin e 47-të të UEFA-s që u zhvillua në Lisbonë. Menjëherë, vetë kreu i FSHF, por tashmë edhe numri 2 i UEFA-s – pas largimit tw spanjollit Rubiales nga ky rol -, ka shprehur fjalët e para pas marrjes së këtij posti mjaft të rëndësishëm me vota unanime në mbledhjen e fundit tw Komitetit Ekzekutiv të organizmit më të lartë të futbollit evropian, gjë që ai e ka cilësuar si rezultat i punës së madhe të bërë nga i gjithë futbolli shqiptar ndër vite.
“Padyshim që ndihem i nderuar, i respektuar, jo vetëm unë, por i gjithë futbolli shqiptar për vlerësimin që i bën komuniteti europian i futbollit një kandidature nga Shqipëria për të qenë Zv.President i UEFA-s. Padyshim që është rezultat i kontributit të punës së gjithë futbollistëve, trajnerëve dhe i gjithë komunitetit të futbollit shqiptar për të patur një vend në drejtimin e futbollit europian. UEFA është një organizatë sportive, bashkimi i të gjitha federatave europiane dhe organet e saj drejtuese padyshim që marrin vendime për të mirën e futbollit europian në përgjithësi dhe kjo do të thotë se të qenurit në një post drejtues të UEFA-s, pra në postin e Zv.Presidentit, nuk të bën që të marrësh vendime të njëanshme pavarësisht Federatës nga vjen, por unë jam i kënaqur që do të japë kontributin tim në mbarëvajtjen e futbollit europian, në strategjitë e zhvillimit të tij, pse jo edhe me vendimet e përditshme apo administrative që do të duhet të marrë Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s për të mirën e futbollit në përgjithësi”, – tha Presidenti i FSHF-së.