Me gjetjen e skuadrës nga Mërgim Mavraj, tani është Arlind Ajeti ndër mbrojtësit shqiptar – bashkë me Alijin – që mbetet në kërkim të një sistemimi, për vazhdimin e këtij sezoni futbollistik që ka marrë start prej gati 1 muaji. Në ndryshim nga ish-lojtari i Hamburgut, Ajetit i ka kushtuar grumbullimin me Kombëtaren fakti që nuk ka ekip. Sigurisht është një vlerësim me dy standarde i bërë nga ana e trajnerit Panucci, i cili ka preferuar të ketë gjithsesi me vete përvojën e Mavrajt, megjithëse ai praktikisht nuk ka luajtur prej disa muajsh në një ndeshje zyrtare me një klub. Ndërsa Ajeti ka qenë në aktivitet të paktën deri në fund të kampionatit të kaluar italian, pikërisht në radhët e skuadrës së Krotones.
Gjithsesi, përtej këtij diskutimi, Ajeti vazhdon të jetë ende në “gjueti” të një skuadre për të vijuar karrierën e tij. Nga sa mësohet, synimi është që të vazhdojë të qendrojë në futbollin italian dhe po pret rastin e duhur. Megjithëse duket që, si përfundim, nëse nuk do të arrijë të cajë aty, me siguri që do të zgjedhë të kthehet në Zvicër, aty ku janë disa skuadra që do ta prisnin krahëhapur. Ndërkaq, faqja “calciomercatot8”, e sugjeron mbrojtësin shqiptar si një lojtar me paramtër, që do të ishte i leverdishshëm për këdo skuadër. Ai shfaqet aty në morinë e disa futbollistëve, që kanë bërë emër në Serinë A, si Burdiso, Giuseppe Rossi, apo Storari. Për më tepër, në listën e atyre që mund të merren si ‘lojtarë të lirë’, Ajeti figuron ndër më të shtrenjtët sa i takon vlerës së merkatos: 1 milionë euro është kuotimi i tij, po aq sa edhe Giuseppe Rossi, ndërkohë që më lart (3 milionë) është vetëm portugezi Migel Veloso.