Kam humbur pesë penallti rresht dhe sërish kam qenë Diego Maradona. Me këtë deklaratë i ka dalë në mbrojtje Lionel Messit legjenda argjentinase e futbollit. 57-vjecari i ka cilësuar të kota kritikat ndaj sulmuesit të Barcelonës. Në barazimin 1-1 që Argjentina mori ndaj Islandës, Messi gaboi nga njëmbëdhjetëmetërshi duke shpërdëruar një shans të artë për t’i dhënë fitoren përfaqësueses Albiceleste. Hannes Halldorsson u tregua i pakalueshëm dhe pikërisht prej faktit se 34-vjecari nuk është ndonjë portier i klasit De Gea e bëri gjithçka edhe më të justifikuar. Sidoqoftë, Maradona ka thënë se edhe lojtarët më të mirë gabojnë nga pika e bardhë, ndërsa si shembull e ka marrë veten.
“Kam humbur pesë penallti radhazi dhe sërish kam qenë Diego Armando Maradona”, është shprehur fituesi i Kupës së Botës për Telesur. “Ndeshja dhe dy pikët e humbura nga skuadra nuk janë pasojë e penalltisë së tij. Ai e tregoi fytyrën e tij duke dhënë gjithçka që kishte. Ai dha maksimumin” – tha Diego i cili kritikoi ashpër trajnerin Jorge Sampaoli. Sipas Maradonës Argjentina e drejtuar prej këtij të fundit është një turp dhe se nëse gjërat do të ndryshojnë sipas tij do të ndryshojnë vetëm prej Messit. Argjentina ndodhet pas Kroacisë në Grupin D me 1 pikë, po aq sa Islanda.