Argjentina fiton Kupën e Botës, Katar 2022. Përfaqësuesja albiceleste triumfoi në një finale të jashtëzakonshme ndaj Francës. Një finale, që u vendos nga ruleta e penalltive, aty ku amerikano-jugorët fituan 4-2, në atë që ishte trofeu i tyre i 3-të në histori.
Koha e rregullt dhe ajo shtesë, prodhoi një futboll të rrallë në finalet e mëparshme të Botërorëve. Një betejë e vërtetë sportive, nga 3 gola në secilin krah. Finalizimeve të Messit, iu përgjigjej Kylian Mbappe. Mirëpo në fund ishte “pleshti” ai që ia doli të prekte suksesin madhor, atë që kompletoi edhe karrierën e tij të lavdishme në futboll dhe këtë arriti ta bënte në moshën 35 vjeçare.
Për herë të fundit, Argjentina e kishte fituar Kupën e Botës në vitin e largët 1986-të, ndërsa Lionel Messi më shokë e rikthyen titullin në shtëpi, pas plot 36 viteve. Hendekun më të madh pa fituar një Botëror, e ka Italia me plot 44 vite, që nga 1938-ta, e deri në 1982-shin.
Më tej, Argjentina është vetëm përfaqësuesja e 3-të në historinë e Kupës së Botës që triumfon me anë të penalltive. Si fillim e ka bërë Brazili në 1994-tën dhe më pas Italia në 2006-tën.
Pa hedhur poshtë meritat e lojtarëve të tjerë të skuadrës, Lionel Messi ishte ai që bëri diferencën në formacionin e Lionel Scalonit. Messi, arriti të shënonte në çdo ndeshje të këtij Botërori, diçka që nuk e ka bërë dot asnjë lojtar tjetër në histori. Po ashtu, “pleshti” është lojtari i parë amerikano-jugor në histori që shënon në finalen e Kupës së Botës, po ashtu edhe atë të Champions League.
Me Botërorin tanimë të shtuar në kabinetin e panumërt të trofeve përgjatë karrierës së tij futbollistike, Lionel Messi, ka hedhur themele shumë të forta, për t’u konsideruar si lojtari më i mirë që ka parë ndonjëherë historia e futbollit.