“Arena Kombëtare” do të testohet me një sfidë… rozë

Sport

“Arena Kombëtare” është duke përmbyllur përgatitjet e fundit, përpara përurimit zyrtar që është caktuar të mbahet në ndeshjen me Francën më datë 17 nëntor. Punimet janë drejt fundit dhe gjithçka pritet të jetë në perfeksion për ndeshjen e fundit eliminatore për Euro 2020. Ndërkaq, Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar të enjten, gjatë hedhjes së shortit të kampionatit të futbollit të femrave, edhe ndeshjen që do të shërbejë për testimin e domosdoshëm të kërkuar nga UEFA, sa i takon impiantit më modern në vend.


Sipas një njoftimi zyrtar të bërë nga FSHF, ndeshja e programuar për t’u luajtur më 3 nëntor do të jetë Vllaznia-Apolonia e kampionatit të futbollit për femra. Pikërisht kjo do të jetë dhe ndeshja e parë ku tifozët do të kenë mundësinë të shikojnë nga afër një ndeshje në investimin më të madh të realizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Por mbi të gjitha, Federata do të ketë mundësinë të testojë që nga hyrjen e tifozëve e deri te pjesa e transmetimit televiziv në këtë impiant të ri. Kështu, sfida e parë në “Arenën Kombëtare” do ta luhet mes dy skuadrave të futbollit të femrave, duke e bërë këtë sfidë një nga ato që me siguri do të mbetet në histori, gjithmonë sa i takon infrastrukturës në shërbim të sportit shqiptar.