Arda Guler zyrtarizohet si lojtar i Real Madrid

Sport

Arda Guler është zyrtarisht një lojtar i Real Madrid. Los Blancos kanë fituar klasiken jashtë fushës së lojës ndaj rivalëve të tyre katalanas. Guler, i konsideruar edhe si “Messi i Turqisë”, falë aftësive të tij në fushën e lojës, ka zgjedhur që të luajë për 14 herë kampionët e Europës, ndonëse Barcelona shihej më e favorizuar për të siguruar shërbimet e tij.

I lidhur me Fenerbahçen me një kontratë deri në 2025-tën, në drejtim të klubit nga Stambolli, Reali pagoi plot 20 mln euro, 3 më tepër sesa klauzola e lojtarit, në mënyrë që ky i fundit të lirohej dhe të zbarkonte në Madrid.

Detajet e marrëveshjes mes palëve kanë përfunduar me sukses. Sikurse ka bërë të ditur vetë klubi spanjoll, Guler ka firmosur një kontratë 6 vjeçare me Realin, teksa Fenerbahçe do të mbajë 20% të shitjes së kartonit të futbollistit, nëse ky i fundit, një ditë largohet nga “Santiago Bernabeu”.

Pasi fillimisht ishte pjesë e moshave, Guler, u bë pjesë e skuadrës së parë të kanarinave, në verën e 2021-shit, e prej atëherë luajti 51 ndeshjen në të gjitha garat, duke shënuar 9 gola, e dhuroi 12 asiste. Në edicionin që lamë pas, mesfushori, kontribuoi me 6 gola, e 7 asiste, duke e ndihmuar Fenerbahçen, që të fitonte edhe Kupën e Turqisë.

Në “Bernabeu” janë të bindur. Ndonëse është vetëm 18 vjeç, Guler zotëron potencialin e plotë për të qenë menjëherë pjesë e skuadrës së parë dhe nuk do të spostohet tek moshat. Kësisoj, shumë shpejt, lojtari do të vendoset nën urdhërat e trajnerit Carlo Ançelotti.