Arabia Saudite gati të trondisë botën e futbollit me një tjetër transferim të bujshëm

Sport

Pas Cristiano Ronaldos në Janarin e këtij viti, Arabia Saudite gati të trondisë botën e futbollit me një tjetër transferim të bujshëm. Pak kohë më parë, rinovimi i Karim Benzema me Real Madrid dukej i sigurt, mirëpo situata ka ndryshuar 180 gradë, kur në mes përfshihen milionat.

Mediat pranë Real Madrid, raportojnë se një klub nga liga e Arabisë Saudite e futbollit i ka ofruar kapitenit të Los Blancos një kontratë 2 vjeçare, me një pagesë totale prej 200 mln eurosh, ose 100 mln euro në sezon.

Kjo shumë kaq e madhe, duket se e ka tunduar sulmuesin e qendrës, i cili për momentin, ka lënë në vend-numëro rinovimin me 14 herë kampionët e Europës dhe po reflekton mbi ofertën që i është bërë nga Lindja e Mesme.

Në kushte të tilla, Reali, nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të përqendrohet në merkato dhe të synojë transferimin e një tjetër sulmuesi që të jetë për shumë sezone pjesë e 35 herë kampionëve të Spanjës.

Sakaq, përveç Benzemasë, në “Santiago Bernabeu” ka ende të tjera çështje që kërkojnë përgjigje. Një prej tyre është Marco Asensio, i cili është në mbyllje të kontratës së tij me Realin. Mediat në Spanjë, bëjnë të ditur se anësori i sulmit nuk do të rinovojë me mbretërorët dhe ka vendosur të largohet këtë verë. Në të njëjtën situatë është edhe Dani Ceballos, i cili duket më parnë largimit, sesa qëndrimit nga Los Blancos.

Në një tjetër panoramë duket gjendja e Luka Modriç dhe Toni Kroos, me të dy veteranët, të cilët kanë rinovuar edhe për një tjetër sezon, me zyrtarizimin që do të bëhet në një moment të dytë.