Para disa kohësh në SHBA nisi një hetim për yllin e Juventusit, Cristiano Ronaldo, për shkak të akuzave për përdhunim që rëndojnë mbi sulmuesin portugez. Për momentin ai po hetohet në gjendje të lirë, por në momentin që ai do të shkelë tokën amerikane mund të ndalohet nga policia në mënyrë që të merret në pyetje në lidhje me këtë çeshtje.Pikërisht këtij skenari i druhet dhe skuadra italiane, drejtuesit e së cilës po mendonin të anulonin pjesmarrjen në turneun veror që realizohet në SHBA, nga frika se autoritet amerikane mund të ndalonin Ronaldon. Fillimisht ky lajm u publikua një javë më parë nga “New York Times”, por tani duket se ky pretendim është konfirmuar.
Vetëm pak më parë, është bërë prezantimi zyrtar i skuadrave që do të marrin pjesë në versionin aziatik të Kupës Ndërkombëtare te Kampioneve që do të zhvillohet në Singapor këtë verë. 4 skuadrat që do të ndeshen janë Inter, Juventus, Manchester United dhe Tottenham. Kjo do të thotë se Juventusi nuk do të marrë pjesë në turneun që bëhet në SHBA dhe arsyeja e kësaj sipas klubit ka të bëjë me marketingun. Por ky version duket se nuk i ka bindur mediat italiane dhe as ato ndërkombëtare, të cilët vazhdojnë të insistojnë se vendimi për të ndryshuar turne ka të bëjë me akuzat dhe hetimet që po zhvillohen në SHBA dhe frika se ylli i futbollit mund të ndalohet. Kjo do të ishte një goditje shumë e madhe si për yllin e futbollit por edhe për imazhin e “Zonjës së vjetër”.