Pasi siguroi vetëm në ndeshjen e fundit pjesëmarrjen në Champions League, Luciano Spalletti tha për herë të parë me një ton të pasigurt zëri se shpresonte që të vazhdonte të ishte trajner i Interit. Fillë pas kësaj zërat në shtypin italian u bënë më të sigurt. Te zikaltërit është vendosur të ndërrohet sërish faqe dhe e ardhmja duket se do t’i besohet Antonio Contes. Ish-trajneri i Chelsea-it, kombëtares së Italisë dhe Juventusit, thuhet se do të nënshkruajë dhe do të zyrtarizohet brenda javës, pasi ka arritur marrëveshje me Presidentin Steven Zhang dhe Administratorin Beppe Marotta.
Zhang ka siguruar tifozët se do të bëjë maksimumin që ngjyrat zikaltër të ringrihen sërish edhe në arenën evropiane. Spalletti do largohet pas vetëm 2 sezonesh, në një kohë që kishte kontratë deri në vitin 2021. Sportmediaset shkruante të hënën se Conte mund të zyrtarizohet të mërkurën, ndërsa në tavolinë atij thuhet se i është ofruar një kontratë tre-vjeçare. Conte javën që shkoi përmbylli një proces gjyqësor me Chelsea-in duke fituar të drejtën e shpagimit për largimin që Blutë e Londrës i bënë vitin që shkoi, largim që do t’i kushtoi klubit anglez 10 milionë euro. I lirë nga kjo çështje Conte duket të jetë i gatshëm t’ia rinisë në Serie-A, atje ku shumëkush pret një merkato të fortë dhe pikërisht për merkaton, emri i parë i propozuar dhe që vjen nga Anglia, është Romelu Lukaku.