Antonio Conte po mendon rikthimin në Itali, ka kontakte me Interin

Sport

Antonio Conte po mendon rikthimin në Itali. Trajneri i Tottenham, është në muajt e fundit të kontratës me Tottenham, ndërsa e ardhmja e tij, duket gjithmonë e më larg klubit anglez. Sikurse raportojnë mediat në ishull, Conte po reflekton rikthimin në vendin e tij të lindjes. Më herët, në deklaratat e tij publike, vetë tekniku është shprehur se ai do rinovojë me Tottenham, vetëm nëse është i lumtur në ambientin e klubit nga Londra Veriore, duke lënë në këtë mënyrë gjithçka të hapur.

Mirëpo, nëse deri në fund të sezonit, nuk arrihen objektivat nga ana e klubit, atëherë është mëse e besueshme që në verë, Conte dhe Tottenham do ndajnë rrugët. Synimi që klubi ka për këtë sezon, është kualifikimi në Champions League për sezonin e ardhshëm, e po ashtu një rrugë sa më e gjatë në Champions në edicionin aktuale.

Për momentin, anglezët, duhet të përmbysin humbjen e pësuar në takimin e vajtjes ndaj Milanit në “San Siro”, duel i vlefshëm për raundin e 1/8-tave. Në rast të ndonjë eliminimi nga Europa, atëherë sinjali mund të jetë i qartë se Conte nuk do jetë më trajner i klubit anglez në sezonin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, edhe një rikthim në Itali nuk mendohet të jetë aq i thjeshtë, duke marrë parasysh kërkesat e larta financiare të Contes. Sidoqoftë, mediat nënvizojnë se 53 vjeçarit ka shkëmbyer disa kontakte me drejtuesit e Interit, klub nga i cili u largua dy sezone më parë.