Antonio Conte mund të mos jetë trajner i Napolit në sezonin e ardhshëm

Sport

Antonio Conte mund të mos jetë trajner i Napolit në sezonin e ardhshëm futbollistik. 55 vjeçari ka një kontratë deri në verën e 2027-tës me klubin e kaltër, por nuk përjashtohet mundësia që aventura e teknikut italian në Diego Armando Maradona, të zgjasë vetëm një vit.

Dyshimet mbi këtë temë i ka hedhur vetë Conte, në një deklaratë të dhënë për mediat. “Historia ime është kjo; unë marr përsipër skuadra që nuk po kalojnë një moment të mirë. Në të ardhmen, do të doja të drejtoja nëj ekip fitues dhe me themele të shëndosha financiare. A do të jem trajner i Napolit për sezonin tjetër? Ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të rritemi nëse është e mundur. Pastaj do të shohim se ç’do të ndodhë”, ka deklaruar Conte ndër të tjera. E në fakt, është pikërisht fraza e fundit e ish-trajnerit të Interit, ajo që ka ngritur dyshime mbi vazhdimësinë e tij në skuadrën e Napolit.

Conte mund të ketë mbetur i zhgënjeyr nga drejtuesit e klubit, pasi qoftë në merakton e verës, apo edhe të dimrit, Napoli nuk bëri ndonjë blerje të bujshme. Madje, në afatin kalimtar të dimrit, nga jugorët e Italisë, u largua një lojtar me plot cilësi si Kvicha Kvaratskhelia, ndërsa në vend të tij nuk u bë asnjë ndërhyrje e rëndësishme në merkato.

E pikërisht mungesa e investimit në tregun e futbollistëve, mund të jetë një arsye themelore, që mund ta bëjë Conten ndërpresë rrugëtimin e tij me Napolin në fund të këtij sezoni.

Sa i përket ecurisë aktuale, Napoli është në vendin e dytë të Serie A, me 56 pikë, një më pak sesa Interi kryesues. Ndonëse me buxhet të limituar në merkato, në vetëm pak muaj, Conte ka arritur të ndërtojë një ekip konkurues në Serie A, aqsa është duke luftuar për titullin kampion.