Ndryshimi në kupolën drejtuese të Juventusit duket gjithnjë e më i afërt. John Elkann po mendon një ndryshim që do të prekë presidencën dhe rolet e tjera ekzekutive. Andrea Agnelli dhe Nedved duket se janë të kandidatët më seriozë për t’i dhënë lamtumirën klubit, me Del Piero të gatshëm të rikthehet dhe të nisë një aventurë të re. Ndryshimet në nivelet më të larta, mund të prekin edhe aspektin teknik me një levizje të bujshme në stol.
Max Allegri ka një kontratë deri në vitin 2025 dhe është një kontratë veçanërisht e pasur prej 9milion eurosh në sezon. Një shkarkim i tij nuk është në plane, por mund të jetë ai vetë i cili mund të vendosë të largohet, në rast se Agneli, mbështetësi i tij i parë në krye të klubit nuk do të mbajë më detyrën që ka. Tekniku livornez ka qënë nën vëmëndjen e drejtuesve të PSG , të cilët kanë vendosur të mos vazhdojnë më me Pochetinon në përfundim të këtij sezoni. Allegri, në të kaluarën e afërt, refuzoi Real Madridin, por situata tani është ndryshe. Në Paris nuk kanë kultin madrilen të futbollit sulmues dhe do të ishin të lumtur të merrnin pikët dhe të fitonin edhe pa shijuar një ekip spektakolar.
Në krahun tjetër nëse do të kishte një ndryshim në krerët e klubit bardhezi, atëherë Antonio Conte mund të rikthehej tek Juventusi. Marrdhënia mes tij dhe Andrea Agnelli-t nuk ka qënë e mirë, këtë e tregoi edhe konfrontimi në distancë në “Allianz Stadium” në Kupën e italisë, vitin të kaluar. Trajneri puljez ishte i gatshëm të rikthehej në verën e 2019-ës, por vetoja e presidentit çoi në zgjedhjen e Sarrit. Në rast të një drejtuesi të ri të lartë, Conte do të ishte i lumtur të rikthehej, madje duke hequr dorë nga paga e lartë prej 17.5 milion eurosh në sezon që po i garanton Tottenhami dhe duke ndërprerë një kontratë që e lidh me londinezët deri në qershor te 2023-it.