Antonio Conte nuk po ia del ta shijojë si duhet aventurën e tij në krye të Tottenham. Tekniku italian është rrëfyer rreth asaj që po përjeton aktualisht në Londër, duke dhënë disa sinjale të rëndësishme të rikhtimit të tij në vendlindje. Në intervistën e dhënë për ‘The Guardian’, 53-vjeçari është shprehur se ndarja nga jeta e emrave si Gian Piero Ventrone, Sinisa Mihajlovic apo Gianluca Vialli e kanë prekur shumë, duke qenë se të gjithë i ka njohur e kanë kaluar jo pak gjëra bashkë.
Conte mendon se si ai, edhe të tjerët duhet të kuptojnë që futbolli dhe puna nuk është gjithçka që ata kanë në jetë. Ai e lidhi këtë me mungesën e familjes së tij, pasi bashkëshortja Elisabetta dhe vajza e tij, Vittoria, vijojnë të jetojnë në Itali. Trajneri i Tottenham u shpreh se për të nuk është e lehtë të qëndrosh kaq larg familjes dhe miqve më të mirë, prandaj në fund të sezonit, mund të rimendojë të ardhmen e tij. Edhe pse është një ndër trajnerët më të paguar në Angli e në të gjithë Europën, Conte është i gatshëm të mos e firmosë rinovimin e tij, për t’u rikhtyer në Itali. Këto duket të jenë sinjale të qarta për një kalim të tijin tek Juventusi, në atë që do të ishte epoka e tij e dytë në krye të bardhezinjve.
Conte e ka drejtuar Juventusin nga 2011 në 2013-ën, ku në 129 ndeshje, llogarit 87 fitore, 29 barazime dhe vetëm 13 humbje, teksa ia doli të fitonte 3 tituj kampionë të Italisë dhe dy ‘SuperKupa’. Deri më tani, Conte e ka refuzuar rinovimin e kontratës me Tottenham, pavarësisht propozimit të londinezëve për ta rritur pagën e tij, që aktualisht shkon në 17 milionë euro në sezon.