Ansi Agolli merr vlerësimin “epik” nga NY Cosmos

Sport

Ansi Agolli është konsideruar si afrimi më i goditur për NY York Cosmos, ku ka sjellë padyshim përvojën e aktivizimit në futbollin evropian e veçanërisht në UEFA Champions League. Me paraqitjet dhe kontributin e tij, 37-vjecari shqiptar ka ndihmuar Cosmos të arrijë suksese të rëndësishëm. Ndërkohë që brenda 1 muaji ka arritur të shënoj edhe 2 gola me tepër vlerë, fillimisht ndaj Brooklyn Italians e më pas kundër FC Baltimorës, duke shërbyer edhe për t’i dhënë trofeun e parë skuadrës së tij. Kjo ka ngazëllyer së tepërmi edhe trajnerin Carlos Mendez. Ai nuk ka kursyer elozhet për anësorin shqiptar, të cilit i ka ndryshuar edhe rolin duke e zhvendosur disa metra përpara në mesfushë. “Nëpër momentet e duhura, lojtarët e mëdhenj dalin në pah dhe Ansi e ka bërë këtë më së miri për neve. Faktikisht, ai ka prioritet sulmues edhe kur kemi vendosur që të luajë në të majtë të mbrojtjes. Gjithmonë synon të dalë përpara dhe të bëhet i rrezikshëm, pasi është edhe tepër i zgjuar. Për më tepër di të godasë shumë mirë me të dyja këmbët, sic ka treguar edhe në ndeshjet e fundit”, kanë qenë fjalët e Mendez.


Sidomos ai gol i Agollit ndaj Brooklyn, u përfshi në 10 veprimet më të bukura të javës nga “ESPN Sports Center”. Gjithsesi, për vetë lojtarin shqiptar të gjithë realizimet e tij janë të rëndësishëm. “Ka rëndësi që goli të bëjë punën. Nuk është vetëm për mua, por për të gjithë lojtarët. Na duhet të bëjmë detyrën tonë, sepse për këtë jemi këtu. Sigurisht që na duhet të përmirësojmë disa gjëra në ndeshjet e ardhshme. Duhet të tregohemi më konkretë sidomos në rastet që na krijohen”, ka përfunduar Agolli.