Në një kohë kur Qarabugu i tij luante kundër Partizanit në Tiranë, Ansi Agolli i ëshë gëzuar më në fund festimit të parë të një golit në Amerikë, atje ku zgjodhi të transferohet në mars, pas ndarjes me kampionët e Azerbajxhanit. Skuadra e Nju Jork Kozmos, në radhët e të cilës aktivizohet mbrojtësi shqiptar, arriti të fitojë 1-0 përballë Bruklin Italians, duke siguruar triumfin në finalen e Konferencës Atlantike të Veriut. Dhe pikërisht vendimtar rezultoi ish-kapiteni i Kombëtares kuqezi, i cili praktikisht vendosi ndeshje me një supergol. Konkretisht, 36-vjeçari pasi mori një pasim nga e majta, gjuajti fluturimthi pa u menduar shumë, duke ia dalë të shtangë portierin kundërshtar. Ky gol është konsideruar si një perlë nga ana e mediave amerikane.
Akoma më shumë veçantinë këtij realizimi ia shtoi edhe fakti që u shënua me këmbën e djathtë, që nuk është e preferuara e Agollit. Gjithsesi përveçse golit të parë amerikan, mbrojtësi anësor iu gëzua edhe faktit që koleksionoi trofeun e parë në aventurën e tij 4-mujore amerikane. Kujtojmë që ai vendosi që në fillimin e këtij viti, të largohej nga Qarabagu, ku mbylli një aventurë 9-vjeçare të shoqëruar nga 5 tituj kampionë radhazi, ndërsa për arsye familjare zgjodhi të vazhdonte karrierën me Nju Jork Comos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mund të thuhet se 36-vjeçari ka nisur të përshtatet si duhet me klubin e ri, në të cilin ka filluar të rezultojë edhe vendimtar.