Koret raciste ndaj lojtarëve me ngjyrë të Anglisë nuk kanë kaluar qetë në ishull. Në përballjen e fituar 5-1 ndaj Malit të Zi, lojtarët me ngjyrë të përfaqësueses së “Tre Luanëve” u sulmuan shpesh nga kore raciste. Raheem Sterling, Danny Rose apo dhe 18-vjecari Hudson-Odoi u vunë në qendër të këtyre sulmeve. Troy Townsend, i ati i Andros Townsend duke folur për Sky-Sports, e cilësoi sfidën e vlefshme për kualifikueset e Euro-2020 si një tjetër dështim të UEFA-s për të garantuar respekt të vlerave njerëzore. Trajneri Gareth Southgate tha gjithashtu se i kishte dëgjuar koret, veçanërisht ato pas faullit ku Danny Rose u ndëshkua me karton të verdhë.
Trajneri i përfaqësueses u shpreh se ishte siguruar personalisht që UEFA-s t’i drejtohej një raport i gjerësishëm për situatën që ngjau. Raheem sterling pasi shënoi një nga golat e ndeshjes e festoi qëllimisht golin me një gjest mos-kokëçarës ndaj koreve. Pasi u pyet pas ndeshjes ai tha se i vinte keq që në 2019-ën atij dhe shokëve të skuadrës i duhej të përballej me situata të tilla. Trajneri i Malit të Zi, Ljubisa Tumbakovic pretendoi se nuk kishte dëgjuar asnjë kor racist, por ato i dëshmoi vetë Hodson-Odoi i cili theksoi në një intervistë se i kishte dëgjuar të gjitha ofendimet me tifozët që bënin si majmunë në mënyrë që t’i ofendonin lojtarët e Anglisë. Pas raportit të përpiluar nga Federata Angleze e Futbollit dhe deklaratave të lojtarëve dhe trajnerit të Anglisë, Mali i Zi pritet të dënohet me ndeshje pa tifozë si dhe me një gjobë të majme.