Anglia, pas eliminimit Southgate dhe Kane mundohen të mbledhin skuadrën

Sport

southh

“It’s comming home”… “Po vjen në shtëpi” ishte shprehja që i shoqëroi anglezët në këtë botëror, por vetëm deri në gjysmë-finale. Nënkuptimi se “Tre Luanët” do ta bënin rrugën e kthimit me Kupën rezultoi i kotë, pasi tashmë skuadra e Gareth Southgate rikthehet në Angli duarbosh, njëjtë sikurse përfaqësueset e tjera në të kaluarën. Anglia do të vazhdojë të mbajë mend 1966 si suksesin e vetëm në një turne botëror. Pas eliminimit me Kroacinë në kohët shtesë, tejet i madh ka qenë zhgënjimi mes lojtarëve.

kanee

“Jemi të vetëdijshëm që sapo humbëm një ndeshje tejet të rëndësishme dhe nuk dua që unë të dal si tipi që po kërkoj t’i kaloj gjërat shpejt. Duhet t’i kishim shfrytëzuar rastet që kishim në pjesën e parë. Në fillim askush nuk e mendonte se do të ishim në të tillë pozitë, prandaj nuk duhet të hedhim gjithcka poshtë, por aktualisht nuk mund t’i ndihmoj më shumë djemtë që ta kalojnë këtë gjendje” – u shpreh pas eliminimit trajneri Gareth Southgate. Ndërkohë Harry Kane, lojtari prej të cilit pritej maksimumi, pasi kishte mundur të shënonte 6 gola deri përpara sfidës me Kroacinë, dështoi të dërgonte një top në rrjetë. Vetë kapiteni tha se ky rezultat u bën të ndihen shumë keq lojtarëve, por theksoi se ishte i sigurt se e ardhmja do jetë me plot momente më të mira për Anglinë.