Anglia është e vetmja Kombëtare pjesëmarrëse në Kupën e Botës së këtij viti, që i ka të gjithë lojtarët nga kampionati vendës. Mirëpo lista e atyre 23 futbollistëve, të cilët do të përfaqësojnë “Tri Luanët” në Rusi 2018, ka edhe një veçnati, që ndoshta pakkush e ka vënë re. Lojtarët e përfaqësueses së Southgate do të jetë ajo me më pak përvojë ndërkombëtare, krahasuar me të gjitha ekipet e tjera që marrin pjesë në këtë turne. Kjo rezulton, duke pasur parasysh se mesatarja e ndeshjeve që secili prej futbollistëve në “Rusi 2018” ka luajtur me Kombëtaret respektive, është pothuajse 34 ndeshje. Por kur flitet për Anglinë, të besuarit e Southgate numërojnë një mesatare prej vetëm 20 ndeshjesh, aq sa kanë edhe futbollistët e Tunizisë.
Më saktësisht, 23 lojtarët e përzgjedhur nga tekniku Southgate, të gjithë sëbashku kanë luajtur një total prej 465 ndeshjesh me fanelën e “Tre Luanve”. Një fakt vërtet kurioz, krahasuar edhe me kombëtare të tjera, si Panamaja që e ka përvojën e parë në një Botëror. Por, nëse mblidhen të gjitha prezencat e futbollistëve panamezë me Kombëtaren, numri i ndeshjeve shkon në 1398. Lojtari anglez më me shumë ndeshje, është Gary Cahill, i cili ka luajtur 59 herë me Anglinë. Megjithatë kapiten është zgjedhur Harry Kane, i cili ka vetëm 24 ndeshje. Për më tepër, në radhët e “3 luanëve” janë edhe dy prej nëntë futbollistëve të këtij Botëror, të cilët akoma nuk kanë zbritur në fushë për luajtur asnjë takim me përfaqësuesen përkatëse. Bëhet fjalë për anësorin e Liverpulit, Trent Alexander-Arnold, si dhe për portierin debutues të Burnley, Nick Pope. Mbetet të shihet nëse kjo mungesë përvoje do të jetë vërtet një minus për Anglinë, apo freskia e tyre do të jetë armë plus.