Angli; Zona ‘Champions’ vendoset në ‘frymën e fundit’, Chelsea dhe Man.United kryejnë detyrën

Sport

‘Premier League’-a i ka dhënë fund një sezoni mjaft interesant, që pa Liverpool të kthehej si kampione e Anglisë pas plot 30 vitesh. Në javën e fundit të kampionatit, ‘të kuqtë’ mposhtën Newcastle 3-1 në transfertë, por vëmendjen kryesore gjatë raundit të 38 e mori ‘lufta’ e ndezur për zonën ‘Champions’ mes Chelsea, Leicester dhe Manchester United. ‘Blutë’ e Londrës nuk lanë asgjë në diskutim, teksa mposhtën 2-0 Wolverhampton, çfarë u mjaftoi të besuarve të Frank Lampard të siguronin prezencën e tyre në elitën e Europës. Ndërkohë që ishte mjaft i ndezur takimi i luajtur në ‘King Power Stadium’ mes vendasve të Leicester dhe Manchester United. ‘Djajtë e kuq’ vinin në këtë takim të avantazhuar, pasi do u mjaftonte vetëm një barazim për të siguruar një vend mes katër më të mirave, por skuadra e Ole Gunnar Solskjaer u tregua vërtet cinike, pasi edhe pse loja u dominua nga Leicester, golat u realizuan nga lojtarët e United. Goli me penallti i Bruno Fernandes dhe një gol i sekondave të fundit të Jesse Lingard, siguruan rikthimin e Manchester United në ‘Champions League’, duke i dhënë fund diskutimit për katër më të mirat e ‘Premier League’ për sezonin 2019/2020. Kështu, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Chelsea do të përfaqësojnë futbollin anglez në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në kontinent sa i përket sezonit të ardhshëm, teksa Leicester, që lëshoi çdo gjë në 5 javët e fundit, do të duhet të kënaqet me ‘Europa League’-ën, së bashku me Tottenham-in e Jose Mourinhos, që edhe pse barazoi 1-1 ndaj Crystal Palace, përfitoi nga humbja e Ëolves për të marrë vendin e shtatë.