Everton nuk ka shënuar ende një gol në vitin 2018-të ndërsa ka vuajtur 4 humbje dhe asnjë fitore në 5 sfidat e fundit. Për këtë trajneri Sam Allardayce thuhet se ka shtyrë fort për një lëvizje në merkato dhe përgjigjia ka emrin Theo Walcott. 20 milionë paundë në tavolinë dhe Arsenali ka dhënë dritën jeshile. BBC raportoi që të martën se 28-vjecari ka përshëndetur miqtë në Londër dhe ka udhëtuar për në Liverpool për të kryer testet mjekësore. Prezenca e Allardyce thuhet se ka ndikuar shumë që Walcott të refuzojë rikthimin te Southampton, ish-klubi i fëmijërisë. Pas rreth 400 ndeshjesh me topcinjtë dhe 108 golash në Emirates, Walcott do të provojë një aventurë të re. Pak ditë më parë vetë Allardyce e lavdëroi anglezin për talentin dhe edukatën taktike që gëzon në fushë. Trajneri i Evertonit e tha hapur se shërbimet e tij do të mund ta ndihmonin skuadrën që të konkretizonte më tepër përpara. Te Arsenali Walcott nuk ka mundur të marrë garanci nga Wenger se do të mund të aktivizohet më shumë, kjo pak muaj përpara fillimit të botërorit dhe me plot rivalë për sa i përket një vendi në kombëtaren e Anglisë. Kështu pas 12 vitesh në Londër Walcott shpreson t’ia rinisë nga e para në Goodison Park atje ku Allardyce kërkon maksimumin pasi blutë kanë sezonin më të vështirë të 5 viteve të fundit.