Ndërkohë që tifozët e Realit të Madridit i kanë sytë te Cristiano Ronaldo, dhe kërkojnë që ai të qëndrojë me Los Blancos, një tjetër front i hapur duket të jetë ai i Gareth Bale. Autori i fitores së finales me Liverpoolin u shpreh pas triumfit të 13-të se do të takohej me agjentin e tij dhe do ta bisedonte nga afër situatën që ka me madrilenët. Ky ishte sinjali i qartë se Bale po shqyrton mundësitë për t’u larguar nga Bernabeu. 5 vite pasi u transferua nga Tottenhami për më shumë se 100 milionë euro Bale kërkon të luajë më tepër. Te Reali ai ka pasur probleme me shumë lëndime, gjë që e ka lënë atë si zgjedhje të dytë nga Zinedine Zidane.
Kjo situatë thuhet se është monitoruar që prej finales së Superkupës nga Manchester United. Jose Mourinho asokohe shpreu interesin për uellsianin, por tha se ai është i lidhur me skuadrën e Zidane. Shtypi britanik raportoi me shifra se tanimë gjërat janë më konkrete. United do t’i ofrojë Bale-it një pagë të afrueshme me atë të Messit te Barcelona. 650 mijë paundë në javë, ekuivalente me 38.5 milionë euro në sezon janë shifrat e pagës që citohen nga shtypi. Këto shifra janë sa 3-fishi i pagës prej 11 milionësh që ai merr në Bernabeu. Te “Djajtë e Kuq” janë gati. Largimi i Martial duket më se i sigurt dhe vendi i tij për Bale do të formonte një treshe me Sanchez dhe Lukaku, por për këtë mjafton të presim edhe pak.