Angli, Tottenhami teston stadiumin e ri me një ndeshje të moshave

Sport

tosnews.jpg

Pas më shumë se 6 muajsh shtytje, stadiumi i ri i Tottenhamit hapi këtë fundjavë dyert duke mundësuar ndeshjen e parë. Skuadra e 18-vjecarëve të Spursave u përball me Southamptonin në kategorinë e moshave. Kjo ishte ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin prej 1 miliardë paundëve të Tottenhamit. Pritja e gjatë e tifozëve tashmë duket se ka marrë fund. Klubi kreu këtë fundjavë edhe testet përfundimtare dhe sipas shtypit britanik më 3 prill në fushë do të zbresë skuadra e Mauricio Pochettinos, që do të ndeshet për Premier-League kundër Crystal Palace-it. Goli i parë në historinë e stadiumit të ri mbajti firmën e J’Neil Bennet, 17-vjecari ishte vendimtar në fitoren 1-0 që skuadra e tij U-18 e Tottenhamit arriti ndaj Southamptonit. Pas kësaj përballjeje testi i vërtetë do jetë ai me Crystal Palace dhe nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve, në përballjen me Manchester City-in në Champions League, Spursat do të luajnë jo në Wembley por në stadiumin e tyre. Kështu pas 3 vitesh pritje dhe 6 muajsh stërzgjatje, tifozët e Spursave rikthehen në shtëpi. Sipas trajnerit Pochettino stadiumi i ri do ketë një ndikim të jashtëzakonshëm te atmosfera dhe morali i skuadrës. “White Hart Lane ishte magjik, por ndjej se stadiumi i ri mund të jetë edhe më tepër duke qenë se përpara na presin sfida të rëndësishme, besoj shumë se në të ardhmen klubi do ketë suksese të jashtëzakonshme” – ka thënë Pochettino, që e drejton Tottenhamin që prej vitit 2014-të dhe ka ripërtërirë kontratën deri në 2023-in.