Angli, Tottenham ndez edhe më shumë luftën për ‘Champions’; mposht në derbi Arsenalin

Sport

Tottenham dhe Arsenal do të luftojnë për vendin e katërt në ‘Premier League’ deri në sekondat e fundit të këtij sezoni. Dy skudrat londineze janë përballur me njëra-tjetrën në takimin e vlefshëm për javën e 22-të, me ‘Spurs’-at që ia dolën të triumfonin 3-0 përpara tifozëve të tyre. Takimi u zhbllokua përpara se të plotësohej gjysëm ore lojë, me Harry Kane që shndërroi në gol një 11-metërsh.

Por goditja e rëndë për Arsenalin do të vinte në minutën e 33-të, kur mbrojtësi Holding do të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë në harkun e shtatë minutave, duke lënë ‘topçinjtë’ me 1 lojtar më pak në fushën e lojës. 4 minuta pas këtij episodi, Harry Kane do të ishte në vendin e duhur, në momentin e duhur, për të shënuar golin e dytë të takimit dhe të dytin personal. Lojtarët e Antonio Conte-s do të vulosnin gjithçka në minutën e dytë të pjesë së dytë, kur Heung-Min Son shënoi golin e tretë, duke vulosur një fitore me shumë peshë për sezonin e Tottenham.

Kur kanë mbetur edhe 2 javë për t’u luajtur nga fundi i sezonit, Arsenali mban vendin e katërt në ‘Premier League’, pozicioni i fundit që të çon direkt në ‘Champions League’ sezonin e ardhshëm, me 66 pikë të grumbulluara, vetëm 1 më shumë se sa ndjekësit e Tottenham. Fitorja me shifrat 3-0 në derbin verior të Londrës mund të ketë shumë peshë për fatet e sezonit, pasi në rast barazimi pikësh, renditja do të vendosej në bazë të golavarazhit, që aktualisht flet dukshëm në favor të Tottenham.