Tottenham kërkon të mbulojë me para Antonio Conten. Bëhet fjalë për mundësinë e rinovimit të kontratës së teknikut italian. Sikurse raportojnë mediat britanike, Spurs kanë gati një propozim prej 22 mln eurosh në sezon për Conten, në mënyrë që ky I fundit të bindet dhe të rinovojë kartat me klubin londinez.
Marrëveshja aktuale e 53 vjeçarit përfundon në 30 qershorin e verës së ardhshme dhe si pasojë, drejtuesit janë vënë në lëvizje për ta bindur numrin një të pankinës që të vazhdojë aventurën në Londrën Veriore.
Conte është pjesë e Tottenham që prej nëntorit të vitit të shkuar dhe duhet thënë se gjatë kësaj kohe ka bërë një punë të përkryer në drejtim të “zambakëve të bardhë”. Italiani e riktheu skuadrën në Champions League, çka ishte edhe objektivi I klubit në sezonin e kaluar. Ndërsa këtë edicion, teksa në Premier League, janë zhvilluar gjithësej 9 javë, Tottenham renditet në vendin e 3-të me 20 pikë, 4 më pak sesa kreu që mbahet nga Arsenali.
Ndonëse Conte është përpjekur ta mbajë presionin larg nga ekipi I tij, duke thënë se çështja titull as që mund të merret në konsideratë, sepse për ta bërë një gjë të tillë duhen edhe disa vite të tjera punë, tifozët mund të ëndërrojnë dhe të shpresojnë se këtë edicion mund të ndodhë mrekullia.
Megjithatë, rezultatet pozitive që italiani ka arritur në pankinën e Tottenham I kanë bindur drejtuesit e klubit të besojnë se Conte është timonieri I duhur për ta drejtuar skuadrën edhe për shumë sezone të tjera. Për këtë arsye, ata I ofrojnë 22 mln euro në sezon në kontratën e re, nga rreth 11.5 që ai paguhet aktualisht. Pra, Tottenham ka gati një dyfishim të pagës, në mënyrë që ish-trajneri I Chelsea të vazhdojë aventurën në krye të Spurs.
Me marrëveshjen aktuale që përfundon në harkun kohor të 9 muajve, nuk pritet të jetë e largët dita kur të mësojmë përfundimisht se ç’do të ndodhë me të ardhmen e Antonio Contes.