Angli, tifozi i vogël gjen 5 paundë në stadium dhe vendos t’ia dhurojë futbollistit

Sport

aronmony

Një tifoz i Huddersfield, i ka dërguar 5 paundë heroit të skuadrës Aaron Mooy, i cili mundi në fundjavë Manchester United-in në Premier League. Lajmi ka bërë bujë në shtypin anglez pasi historia bën fjalë për një djalosh të vogël me emrin Adam Bhana, i cili thuhet se ka gjetur rastësisht 5 paundë dhe përmes një letre ia ka dërguar mesfushorit australian, i cili i dhuroi skuadrës së Hudersfieldit fitoren e parë në 65-vite ndaj Manchester United-it. Djaloshi shpjegon në një letër që ia adreson Drejtorit Sportiv Sean Jarvis se paratë i kishte gjetur në shkallët e stadiumit. Ai kërkon që paratë t’ia kalojë trajnerit David Wagner dhe që ky i fundit ta shpërblejë 27-vjecarin Aaron Mooy, pasi luajti shkëlqyeshëm. I ati i djaloshit në një intervistë për BBC-në, shpjegoi në mënyrë gazmore se do donte që i biri t’ia kishte dhënë më mirë klubit ato para në mënyrë që të kontribuuonin në një buxhet më të mirë për merkaton. Shtypi britanik e ka cilësuar këtë histori ndër më të bukurat që tregon për lidhjen që kanë fëmijët me futbollin. BBC raportoi se kjo histori fati për Adamin nuk do të mbarojë këtu, pasi Aaron Mooy ka kërkuar që ta takojë personalisht ndërsa komentet në rrjetet sociale kanë qenë të pafundme.