Angli, The Sun publikon taktikat e Mourinhos kundër Barcelonës, por portugezi i mohon

Sport

Jose-Mourinhos33.jpg

Një lajm që ka tërhequr jo pak vëmendje në Angli gjatë ditëve të fundit kanë qenë skemat e publikuara nga gazeta e mirënjohur ‘The Sun’, që pretendohet se i përkasin Jose Mourinhos. Raportet e publikuara tregojnë se si kishte menduar Mourinho të përballonte Barcelonën në vitin 2006, kur trajneri ishte në krye të stolit të Chelseat. Në këto dokumente vihet re se kërkohej që Messit t’i shkaktohej faull sapo ai të prekte topin, duke mos e lënë ta qarkullojë më shumë se 4 apo 5 metra. Nga ana tjetër Ronaldinho cilësohet si një simulues konstant, ndaj të cilit duhej bërë kujdes në ndërhyrjet pranë zonës. Kurse Rafael Marquez cilësohet gjithashtu si një provokues dhe simulues, kështu që lojtarët e Chelsea duhet të kenë sa më pak kontakt me qendërmbrojësin meksikan, por të duelojnë ndaj Puyol, që për Chelsean dukej më i cënueshëm. Ndërsa Oleguer dhe Edmilson konsideroheshin si pikat më të dobëta të Barcelonës në qarkullimin e topit, kështu që kërkohej presion më i madh ndaj tyre.
Pas publikimit të këtyre dokumenteve nuk ka vonuar të kundërpërgjigjet edhe vetë Jose Mourinho. Tekniku thotë se kurrësesi ato raportime nuk janë përgatitur prej tij, madje siguroi se të gjitha skemat apo raportet e tij ai i zotëron në shtëpi. Mourinho thuhet të jetë acaruar me lajmin e publikuar nga mediat angleze, saqë po mendon të ndërmarrë edhe masa ligjore, siç ka konfirmuar një burim pranë familjes së portugezit. Ndërsa së fundmi ka edhe zëra që konfirmojnë se këto skema nuk i përkasin Mourinhos, por zëvendësësit të tij, Andre-Villas Boas.