Federata Angleze e Futbollit ofroi mbështetje të plotë për sulmuesin Raheem Sterling i cili u përfshi në një diskutim të gjerë publik pasi mediat publikuan një foto të tatuazhit të tij në këmbën e djathte. 23-vjecari me origjinë xhamaikane u pa në një seancë stërvitore se kishte bërë tattoo një armë automatike. Të menjëhershme kanë qenë kritikat, ku qëndrimi i përgjithshëm bënte fjalë për një “model aspak edukues për të rinjtë”. Sidoqoftë Sterling ka marrë përsipër vetë ta sqarojë këtë situatë duke postuar në profilin e tij instagram një shpjegim të detajuar. “Kur isha 2 vjec, im atë vdiq pasi e qëlluan me armë. Unë i bëra premtim vetes se nuk do prekja kurrë armë me dorë në jetën time. Në futboll gjuaj me të djathtën prandaj tatuazhi kishte një kuptim më të thellë, dhe mbetet i pa-mbaruar” – ishte mesazhi i sulmuesit të talentuar xhamaikan.
Gazeta The Sun, e cila raportoi se i ati i Sterlingut qe vrarë në Kingston të Xhamaikas 19 vite më parë, ishte ajo që i ngriti më së shumti kritikat ndaj futbollistit. Tabloidi në fjalë përcolli opinionet e shoqatës “Nënat kundër armëve”. “Sterling nuk duhet të luajë në botëror deri sa ta heqë tatuazhin” ishte citimi pezhorativ që bëhej prej The Sun. Por përballë këtij qëndrimi Federata Angleze i ka dalë në mbrojtje duke deklaruar se asgjë nuk e shpërqëndron përfaqësuesen, të gjithë lojtarët mbeten të fokusuar vetëm te botërori dhe grupi është tejet i bashkuar.