Mediat angleze kanë raportuar me plot ironi faktin se trajneri i përfaqësueses së tyre Gareth Southgate është lënduar teksa po vraponte. Ish-futbollisti, i cili drejton “Tre Luanët” pas shkarkimit të Sam Allardyce, u lëndua në shpatull edhe pse nuk po kryente një seancë stërvitore, pasi e kishin lënë për pushim. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë te Anglia. “Më mirë që u lëndova unë, se sa ndonjë lojtar” – tha me humor Southgate, i cili u paraqit në sallën e analizave taktike me shpatullën të lidhur për shtati. “Të gjithë u surprizuan kur më panë dhe më pyetën se çfarë kisha qenë duke bërë, por ishte mirë që i kryem përgatitjet tona për ndeshjen me Panamanë.Pas lëndimit që pësova tanimë mjekët ma kanë ndaluar të festoj golat” – tha Southgate.
Anglia debutoi në ndeshjen me Tunizinë, ku fitoi 2-1 mes vështirësish, falë një dopiete të kapitenin Harry Kane, ndërsa të dielën do të përballet me Panamanë, që u mund nga Belgjika 3-0. Shtypi anglez ka raportuar me ironi se Southgate ka dashur t’i bëjë shoqëri dyshes Dele Alli dhe Marcus Rashford të cilët morën lëndime nga sfida e parë. Alli pësoi një lëndim të lehtë muskulor dhe me gjasa do të lihet pushim, ndërsa Rashford vuajti një hematomë në këmbë. Sidoqoftë ky i fundit raportohet të jetë riaftësuar dhe të jetë i gatshëm për përballjen në Nizny Novgrad.