Fundjava ishte me një raportim të bujshëm nga gazeta gjermane Kicker, por Sky në Angli e përgënjeshtron. Thomas Tuchel preferon Bayernin e Munichut më shumë se sa Arsenalin, pra ende nuk ka asgjë të nënshkruar prej ish-trajnerit të Dortmundit që përhapi mjaft debate te tifozët e topcinjve për faktin se në radhët e tyre ndodhet në post drejtues edhe një tjetër ish-zyrtar i Dortmundit. Rob Dorsett i Sky-Sports raportoi të martën se Tuchel është në një pozicion pritje nga ana e Bayernit që ende nuk ka konfirmuar qëndrimin e Jupp Heynckesit në krye të skuadrës. Pas largimit nga verdhezinjtë në muajin maj, në pritje të ofertës së duhur nga skuadra e duhur, Tuchel nuk është angazhuar me asnjë skuadër. Pikërisht kjo ofertë e duhur, sipas Sky-it do të ishte posti i trajnerit të Bayernit, mjaft i lakmuar nga çdo gjerman tjetër në Bundesligë.
Gazeta Kicker raportoi në fundjavë se Tuchel e kishte refuzuar një ofertë nga Bayerni, për të kaluar te Arsenali si zëvendësues i Arsene Wenger, por sipas burimeve të Sky Sports, kjo gjë nuk ka ndodhur. Deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt nga klubi londinez. Në tavolinë ndërkohë thuhet se është edhe posti i trajnerit të Chelsea-it, pra ana tjetër e Londrës. Por sipas analizës që ka bërë gazetari Rob Dorsett me shumë gjasa Anglia nuk është në preferencat e Tuchel, i cili më parë pati refuzuar edhe postin e trajnerit të Southamptonit. Kështu Bayerni duket i vetmi synim për 44-vjeçarin, i vlerësuar si një trajner me goxha potencial.