Qumësht dhe ujë ju hodhën fytyrës Jose Mourinhos, ndërsa ky i fundit humbi toruan pasi skuadra e tij u mund 2-1 nga Manchester City në Old Trafford. Derbi i United-it duket se përfundoi me gjeste të shëmtuara, por që fatmirësisht nuk u panë nga spektatorët. Shtypi anglez ka raportuar se trajneri i Djajve të Kuq, iu drejtua dhomave të zhveshjes së City-it, për t’i kërkuar lojtarëve të Pep Guardiolës që të mos e tepronin me festimet e tyre. Daily Mirror shkroi duke cituar burime të saja se Mourinho hasi menjëherë në një zënkë verbale me portierin Ederson Moraes. Fjalë në portugalisht thuhet se u shkëmbyen mes tyre duke nxitur një zënkë që shtypi thotë se përfshiu më shumë se 20 persona. Lojtarë, pjesëtarë të stafit të të dyja skuadrave nxituan të shmangin përshkallëzimin e situatës. Lukaku përmendet nga Mirror, ndërsa nga Daily Mail asistenti i Guardiolës Mikel Arteta thuhet se pësoi një të çarë në kokë pasi shumë sende u hodhën në drejtim të palëve. E gjithë kjo situatë e acaruar vjen pasi Manchester City siguroi fitoren e 14-të radhazi. Një rekord historik në Premier-League. Blutë e Guardiolës fituan pavarësisht kontestimeve të Mourinhos për një penallti të pa-dhënë në favor të United-it. City shkon në 11 pikë distancë nga “Djajtë e Kuq” që mbajnë vendin e dytë. Por interesante është se në këtë seri fitoresh ata kanë fituar përballë gjithë skuadrave pretendente si Liverpool, Chelsea-i, Arsenal dhe së fundmi United, por që Guardiola nuk resht së thëni se kampionati ende s’është mbyllur.