“Nuk kam më dyshime, ky Manchester City është skuadra më e mirë që kemi parë ndonjëherë në Angli” kështu e ka konsideruar Alan Shearer skuadrën e Pep Guardiolës që shkroi një tjetër rekord në Premier-League duke shkuar në 16 fitore radhazi. 18 javë kampionat me 17 fitore dhe 1 barazim, ndërsa e vetmja humbje sezonale ka qenë në Champions kundër Shakhtarit. 250 milionë euro investime në merkato nga ana e City-it, sipas Shearer, deri më tani kanë qenë tërësisht të justifikuara. Blutë e Guardiolës kanë mundur të gjithë rivalët për titull, United, Chelsea, Liverpool, Arsenal dhe së fundmi edhe Tottenhamin. Distanca nga vendi i dytë është 11 pikë, ndërsa loja në fushë e City-it ka qenë gjithmonë mbreslënëse. Për Alan Shearer fakti se Guardiola dikton një lojë tejet të pastër në fushë dhe gjithmonë spektakolare me pasime nga të gjitha llojet, është për t’u vlerësuar. Kryesimi prej 13 javësh nuk është vënë asnjëherë në diskutim dhe për Shearer nuk do të vihet kurrë nëse Blutë vazhdojnë kështu. Edhe pse ka pasur 3 të lënduar në mbrojtje, Pep ka arritur të riformulojë repartin, ndërsa përpara De Bruyne dhe David Silva frymëzojnë pamasë Agueron, Sterlingun, Sanen dhe Gabriel Jesusin. Por ndërsa në Angli City duket e padiskutueshme kjo skuadër mbetet të provohet edhe në Champions League.