Xherdan Shaqiri do të largohet nga Stoke City dhe ky nuk është më një sekret. Në fakt këtë gjë e ka thënë vetë me gojën e tij shtatshkurtri i përfaqësueses së Zvcirës gjatë një interviste me gazetën Aarguer Zeitung pak pas barazimit 1-1 me Suedinë. I pyetur nëse do të luajë në Championship me bardhekuqtë, apo rënia nga kategoria nënkuptonte largimin e tij, 26-vjecari ishte i drejtpërdrejtë. “Po, sigurisht, do të largohem, do të doja shumë të qëndroja në Angli. Besoj se Premier League-a është perfekte për mua, por nuk dua të përjashtoj asgjë” – ka thënë ish-lojtari i Interit, Bayernit dhe Baselit.
Shtypi anglez i ka kushtuar shpesh vëmendje situatës së Shaqirit pasi ai ishte ndër më të paguarit në skuadër me 3.38 milionë paundë në sezon. 26-vjecari u soll në skuadër 3 vite më parë për shifrat e 15 milionë paundëve dhe sipas The Telegraf, e njëjta shumë mund ta lirojë atë nga kontrata që ka me skuadrën, që e lidh atë deri në vitin 2020-të. Aktualisht në Premier League skuadra si Leicester, Everton apo dhe West Ham janë në riformim dhe prej tyre pritet lëvizje konkrete, pse jo edhe për Shaqirin. I vlerësuar si lojtar polivalent, për faktin se luan në të dyja krahët dhe në të gjitha rolet e sulmit, 26 vjecari mundi të shënojë 15 gola në 92 ndeshje të luajtura me Stoke City-in.