Një nga përrallat më interesante të futbollit, që po zhvillohet në Angli, ka marrë një zhvillim interesant të mërkurën. David Beckham do t’i bashkohet ish-shokëve të tij në bordin drejtues të klubit të Salford City-it. “The Spice-Boy” i cili vitin e kaluar ka formuar klubin Inter-Miami, dhe që planifikohet të luajë zyrtarisht në Major League Soccer pas 3 vitesh, do të jetë bashkë-pronar së bashku me Gary e Phil Neville, Ryan Giggs, Paul Scholes dhe Nicky Butt. 6 ish-futbollistët e Manchester United-it që kanë luajtur së bashku që prej vitit 1992 në Old Trafford, zotërojnë tashmë 60% të aksioneve të klubit nga periferia e Manchesterit. Pjesa tjetër është e miliarderit nga Singapori Peter Lim. Grupi e bleu Salfordin në vitin 2014-të. Kjo skuadër militonte në kategoritë e futbollit diletant dhe falë përvojës, investimit dhe përkushtimit të ish-lojtarëve të United-it, ka mundur të ngjitet me 4 kategori duke ardhur te kategoria e 5-të. Aktualisht Salfordi është në vend të tretë dhe nëse kualifikohet këtë sezon do të kalojë në kategorinë e katërt, që klaisifkohet si futboll lige “League Two”. Duke njoftuar bashkimin e David Beckham te projekti, bordi i Salfordit shprehu hapur entuziazmin dhe energjinë që mund t’i japë ai klubit. Objektivi është që brenda 5 ose 6 viteve të ardhshme, Salford të konkurroj ndër dy kategoritë më të forta të futbollit anglez.