Edhe pse në website-in zyrtar dhe në kanalet e Youtube klubi i Liverpoolit u shfaq në mbështetje të portierit Loris Karius, jo të gjithë tifozët kanë qenë në sintoni. Kështu në rrjetet sociale gjermani ka marrë mjaft kërcënime me jetën, gjë që sipas BBC-së po hetohen tashmë nga policia. Pas humbjes ish-portieri i Mainzit ishte totalisht i dëshpëruar ndërsa në lot i kërkoi ndjesë tifozëve të pranishëm në Olympyskij. Edhe pse tifozët e pranishëm në Kiev iu përgjigjën me duartrokitje, të tjerë nuk ishin kaq të ngrohtë ndaj tij.
Mjaft kërcënime janë drejtuar me mesazhe ndaj 24-vjecarit dhe policia e Merseyside në Liverpool thuhet se ka marrë çështjen në shqyrtim. “Kërcënimet në rrjetet sociale ne i marrim shumë seriozisht dhe janë të patolerueshme” citohet një zyrtar i policisë nga BBC-ja. Goli i parë i pësuar përmes një gafe të 24-vjecarit mbetet dicka e papërtypshme nga ultrasit. Vetë gjermani postoi në Twitter një mesazh ku shkruante “I kërkoj pafundësisht ndjesë skuadrës sime, shokëve të skuadrës, ju tifozëve dhe gjithë stafit” – ndërsa shtatlarti nënvizonte gjendjen e vështirë duke thënë se nuk kishte vënë sy gjum deri në kthimin në Anfield.