Angli, Ozil lëndohet sërish, ka luajtur vetëm 5 ndeshje që kur rinovoi kontratën

Sport

mesut ozil
Tjetër lëndim për Mesut Ozil, i cili thuhet se mund të mos luajë për Arsenalin deri në fund të sezonit. Gjermani 29-vjeçar thuhet se ka pësuar një lëndim në shpinë, që sipas tabloidit The Sun ka trazuar jo pak ambientin e topcinjve. Ozil nuk ka luajtur në 5 ndeshjet e fundit në kampionat. Ai pritet të mungojë edhe në takimet e mbetura ndërsa në ambientin e skuadrës lojtarët e tjerë ndihen të acaruar nga kjo gjendje. Sipas The Sun shumëkush është skeptik për gjendjen e Ozilit, ndërsa 29-vjecari ka luajtur vetëm 6 herë që kur ripërtëriu kontratën më 1 shkurt. Me kontratën e re gjermani përfitoi një pagë prej 350 mijë paundësh në javë. Me botërorin që vjen muajin e ardhshëm, The Sun këmbëngul se te Arsenali e mendojnë hapur se Ozil po e ekzagjeron gjendjen e tij për t’u mos angazhuar më tej, kjo me synimin për të qenë gati për botërorin.

mesut12

“Ai tanimë i zgjedh vetë ndeshjet se kur dhe ku do luajë” citohej nga tabloidi një burim brenda skuadrës. Fantazisti gjerman, i cilësuar si një nga lojtarët më të talentuar të rolit që bën në fushë, numëron 35 ndeshje këtë sezon, ku 5 gola dhe 15 asiste mbajnë emrin e tij. Lëndimi i radhës, i konfirmuar zyrtarisht më 4 maj, është i treti vetëm për këtë sezon. Më parë ai është ankuar për probleme në kavilje dhe një inflamacion në gju, këto të raportuara në muajin shtator. Por përtej lëndimeve fakti se çështja e tij kontraktuale u zgjat aq shumë dhe i kushtoi shtrenjtë Arsenalit, kanë bërë që tifozët, dhe tanimë edhe shokët e skuadrës të mos jenë më në sintoni me 29-vjecarin.