Pas një sezoni me plot ulje dhe ngritje nuk ka festë në anën e kuqe të Manchesterit. Jose Mourinho ka deklaruar hapur se vendi i dytë në kampionat nuk është për t’u festuar ndërkohë që lajmet më të rëndësishme kanë të bëjnë me dy elementë kryesor të skuadrës, Paul Pogba dhe Marcus Rashford. Francezi është përfolur shumë për zënka dhe mërzi kundrejt Mourinhos. Madje muajin e kaluar u fol se agjenti i tij Mino Raiola kishte nisur tashmë të shihte për një transferim të mundshëm nga Old Trafford. Zërat e merkatos e lakonin si të mundshme një lëvizje të tij në Paris. Pogba nuk ka shkëlqyer ende dhe nuk i ka plotësuar aspak pritshmëritë për atë lojtar, për të cilin u paguan mbi 100 milionë euro dy sezone më parë.
Ka nga ata që e gjykojnë si tipike të dikujt që i marrin trutë erë, të tjerë e fajësojnë Mourinhon për rolin që i jep në fushë, disi të tërhequr dhe jo trekuartist. Megjithatë vetë Mourinho ka deklaruar së fundmi se do të donte që Pogba të mos largohej. “Besoj se ai do të qëndrojë me ne edhe sezonin e ardhshëm. Këtë besoj unë… nuk ka pasur asnjë takim me agjentin e tij apo me klube të tjera” ka theksuar trajneri portugez. Ndërkohë një tjetër lëvizje e Mourinhos duket se është edhe garancia për Marcus Rashford. Lukaku i ka zënë krejtësisht hapësirat, dhe edhe pse anglezi ka shënuar vetëm 6 gola në Premier këtë sezon, nga klubi ai cilësohet në qendër të projektit dhe kjo gjë është ritheksuar edhe nga Mourinho.