Angli, Makelele lavdëron Sarrin, thotë se mundet ta fitojë titullin

Sport

makelele

Maurizio Sarri u bë javën e kaluar trajneri i pestë që i fiton të treja ndeshjet e para në krye të Chelsea-it dhe tashmë suksesi i italianit duket se ka bindur edhe një emër të njohur sikurse Claude Makelele. Ish-kampioni i Premier-League-ës me Blutë, ka mbështetur trajnerin e ri duke thënë se do ta ketë të vështirë, por jo të pamundur ta fitojë titullin që në sezonin e tij të parë. Sarri mori drejtimin e Chelsea-it duke zëvendësuar Antonio Conten. Ai la pas Napolin në Serie A me plot lavdërime për një punë të shkëlqyer atje, edhe pse nuk u shpërblye me trofe.

mau sarri

Si zëvendësim i Antonio Contes në Stamford Bridge ai ka bërë një paraqitje të mirë në fillim të këtij sezoni dhe Makelele thotë se ndryshimi tashmë është i shikueshëm. “Mendoj se Chelsea ndryshoi shumë këtë verë. Përpara tashmë kemi shumë skuadra të forta në Premier, por ata i kanë mundësitë për ta fituar titullin pasi kanë plot lojtarë me cilësi” ka thënë francezi, i cili e ka lavdëruar Sarrin si trajner tejet të zoti, të aftë për ta rikthyer drejt titujve klubin londinez. Blutë presin Cardiffin të shtunën pas rikthimit prej ndeshjeve të kombëtareve. Aktualisht ata drejtojnë kampionatin së bashku me City-in dhe Watfordin, si të vetmet skuadra me pikë të plota.