Kur u largua këtë verë nga Leicester City, Riyad Mahrez ishte mjaft i xhindosur për faktin se klubi kishte penguar largimin e tij, por ja që një lojtar tjetër si Harry Maguire nuk ka aspak të njëjtin reagim për të njëjtën situatë, përkundrazi, ai e respekton atë. Qendërmbtojtësi anglez ishte një nga më të kërkuarit gjatë merkatos së verës, kjo pasi kreu një botëror tejet pozitiv me përfaqësuesen e “Tre Luanëve”. Manchester United u tha se u interesua fort për të, por Leicester City u tregua stoik duke bllokuar çdo mundësi bisedimesh.
“Për mua shfaqën mjaft interes gjatë verës, kjo pasi grupi jonë luajti mirë në Rusi, por klubi im vendosi që shërbimet e mia nuk ishin në shitje, dhe këtë vendim unë e respektoj” – ka thënë 25-vjecari Maguire, i cili ka vlerësuar tejmase mundësinë që i ka dhënë Leicesteri për të luajtur si titullar. “Dhelprat më kanë dhënë mundësinë që unë të rritem dhe këtë gjë e vlerësoj shumë, prandaj ua respetkoj vendimin për të bllokuar bisedimet. Aktualisht mendoj vetëm për Leicesterin” – ka thënë më tej mbrojtësi anglez, i cili duket tejet ambicioz për karrierën e tij. Shtatlarti nga Shefieldi u soll në Leicester vitin e kaluar për shifrat e 13 milionë eurove. Pas një përvoje të mirë me Hull City-in, ai tregoi rritje niveli dhe tërhoqi mjaft vëmendjen e klubeve të mëdha. Aktualisht shërbimet e tij vlerësohen mbi 50 milionë euro, por që e sigurt është se, nëse do ketë këtë lidhje, edhe për vitin e ardhshëm do të mbetet te Leicesteri.