Lëndimi i Leroy Sane ka nxitur një debat në Angli, ku Pep Guardiola i ka kërkuar gjyqtarëve t’i mbrojë lojtarët pasi një lojë me plot ndërhyrje të ashpra u pa gjatë sfidës me Cardiff-in. Skuadra e spanjollit fitoi 2-0 ndaj klubit nga Championshipi, dhe arriti kështu raundin e pestë në Kupën e Federatës. De Bruyne dhe Sterling ishin autorët e golave, por jo fokusi kryesor për Guardiolën. Spanjolli humbi toruan kur Leroy Sane u godit ashpër drejt e në këmbën e majtë nga Bennett i Cardiffit dhe gjyqtari nuk ndërhyu aspak. Nga natyra e lëndimit, duhet thënë se 22-vjecari ishte me fat që nuk pësoi një frakturë, ndërsa thuhet se mund të mungojë deri në një muaj. Guardiola duke e krahasuar një ndeshje futbolli me një shfaqje teatrale, u shpreh pas ndeshjes se lojtarët janë artistët e kësaj shfaqejeje dhe gjyqtarët kanë detyrën që t’i mbrojnë këta artistë. Këtu spanjolli tha se nuk e kishte vetëm për lojtarët e tij, por për të gjithë që hidhen në fushë. Përmes një postimi në Twitter Federata Gjermane e Futbollit reagoi pas lëndimit të Sanes duke theksuar se në verë ata kanë një kompeticion tejet të rëndësishëm dhe se për këtë luteshin që të mos i lëndonin lojtarët e përfaqësueses. Duke u rikthyer te Manchester City, Guardiola është ngacmuar sërish për një mundësi fitimi të 4 trofeve, por që ai edhe njëherë i është shmangur të flasë për këtë pjesë.