Kohët e fundit në futboll e gjithë vëmendja është fokusuar tek rifillimi i këtij sezoni. Autoritetet e vendeve përkatëse po organizojnë mbledhje, mirëpo ende nuk po arrijnë në një vendim zyrtar. Së fundmi, mediat në Angli, raportojnë se Premier League do të fillojë në datën 8 qershor, ndërsa objektivi është që deri në fundin e korrikut gara të ketë përfunduar. Në këto kushte, pritet që skuadrat së shpejti të zbresin në tapetin e blertë për të rifilluar stërvitjen. Megjithatë, ditën e premte do të kemi një tjetër mbledhje të aktorëve kryesorë mes Federatës dhe autoriteteve të qeverisë, për të vendosur një datë zyrtare. Në Angli, nuk luhet futboll që prej datës 8 mars. Premier League është ndalur në javën e 29-të, kurse vendin e parë e mban Liverpool me 82 pikë, ndjekur nga Manchester City me 57 pikë. Të kuqtë duan maksimumi edhe 2 ndeshje për t’u shpallur automatikisht kampion të Anglisë, titull që mungon prej gati 3 dekadash në Anfield Road. Shumë e paqartë është situata edhe në kampionatet e tjera të Europës, ku shumë aludime bëhen përsa i përket rifillimit të sezonit, por ende pa një vendim zyrtar. Deri më tani, vetën Belgjika dhe Hollanda i kanë dhënë fund sezonit. Në kampionatin belg, u shpall kampion Club Brugge, kurse në Eredivise edicioni u anullua përfundimisht, dhe titulli nuk shkoi për asnjë skuadër.