Angli, Ihenacho bëhet futbollisti i pare që shënon atje përmes sistemit VAR

Sport

Kelechi Ihenacho

Kelechi Ihenacho hyri në historinë e futbollit anglez pasi u bë i pari që shënon një gol përmes video-asistencës në fushë. Gjatë ri-ndeshjes me Fleetwood Town të vlefshme për fazën e tretë të Kupës së Federatës, skuadra e Claude Puel zhvilloi një ndeshje perfekte ku nigeriani shënoi tre herë, por vetëm dy gola rezultuan të rregullt. 21-vjecari zhbllokoi takimin pas asistimit të Islam Slimanit në minutën e 43-të. Leicester riluante kundër skuadrës nga kategoria e tretë, pas barazimit 0-0 që u shënua në javën e parë të janarit. Ihenacho realizoi sërish në minutën e 62-të, por pasimi i Demarai Gray drejt tij rezultoi se ishte kryer në dalje nga vijat kufizuese të fushës. Por për shtatlartin, ish-sulmues të Manchester City, mbrëmja rezervoi një tjetër mundësi. Në minutën e 77-të, pas një asistimi të Riyad Mahrez ai e dërgoi topin në rrjetë, për t’u ndalur fillimisht edhe njëherë nga flamuri i ngritur i vijërojtësit. 30-sekonda konsultim me sistemin e video-asistencës dhe gjyqtari Jonathan Moss vendosi ta konsiderojë të rregullt golin, pasi Ihenacho rezultoi të mos ishte në pozicion jashtë loje. Kjo është hera e parë që në futbollin anglez një gol akordohet falë ndërhyrjes së VAR-it. Pas takimit trajneri Claude Puel vlerësoi teknologjinë e re dhe gjithashtu edhe 21-vjecarin Ihenacho, i cili deri përpara kësaj sfide kishte luajtur vetëm 403 minuta duke realizuar vetëm 2 gola. Ndërkohë Leicester në fazën e katërt të Kupës së Federatës do të përballet me Peterborough, gjithashtu skuadër e kategorisë së tretë.