Nuk kishte surpriza në Angli, trajneri i vitit u shpall Pep Guardiola. 47-vjecari katalan, i cili drejton Manchester City-in shijoi këtë vlerësim duke lënë prapa kandidaturat e Jurgen Klopp me Liverpoolin, Sean Dyche me Burnley-in apo dhe Nuno Espirito Santos me Wolvesin. Ky sezon ishte tërësisht i çmendur për blutë, teksa thyen plot rekorde. City e mbylli kampionatin me 19 pikë distancë nga Manchester United dhe kapi kuotën e 100 pikëve, diçka që nuk ishte arritur kurrë më parë. Në fakt ata vendosën edhe rekord me 106 gola të realizuar, ecurinë më të gjatë me fitore, dhe po kështu më shumë fitore, 32, në një kampionat.
Duke folur për vlerësimin, por edhe për të ardhmen, Guardiola tha se suksesi i këtij sezoni vinte pas investimeve të kryera. City shpenzoi më tepër se 400 milionë dollarë verën e kaluar dhe në këtë pikë Guardiola ironizoi: “Njerëzit thonë se ne fituam pasi shpenzuam shumë, po, është e saktë, por të njëjtët njerëz mbase s’më besojnë nëse them se ne s’i kemi aq para sa të investojmë 300-400 çdo vit. Mbase këtë verë do të bëjmë një apo dy lëvizje të tjera, por kurrësesi aq të majme, pasi vendosëm të lëviznim fort në një sezon sa për dy-tre bashkë” – rrëfeu Guardiola, i cili i dhuroi City-it titullin e 5-të kampion të Anglisë.