Angli, Federata nis hetimet pas koreve ofenduese të tifozëve ndaj Gjermanisë

Sport

fgtfdgd2

Federata Angleze e Futbollit ka nisur shqyrtimet mbi disa sjellje aspak të hijshme të tifozëve në ndeshjen miqësore me Gjermaninë. Përfaqësuesja e “Tre Luanëve” humbi 1-0 përballjen me Kampionët e Botës, por gjatë nderimit të himneve, vërshëllima dhe brohoritje me pikëpamje të Luftës së Dytë Botërore zunë fillë pasi u nis himni gjerman. E njëjta sjellje me kore të tilla vazhdoi edhe gjatë ndeshjes. “Federata ka nisur shqyrtimin e të gjitha pamjeve vizive, për të pikasur më saktë sjelljen e tifozëve në Signal Iduna Park të Dortmundit. Presidenti i Federatës, Greg Clarke ka nxituar të thotë se askush nuk duhet ta përgjithësojë situatën, pasi këtë sjellje aspak të hijshme e kanë kryer vetëm një pjesë e vogël e tifozëve, të cilët kurrësesi nuk përfaqësojnë të gjithë Anglinë. “Individë që janë angazhuar në të tilla sjellje të pahijshme, nuk përfaqësojnë vlerat dhe identitetin e përgjithshëm të Anglisë dhe për këtë duhet të punojmë fort që t’i shmangim për në të ardhmen” – ka thënë Clarke. Federata ka njoftuar se do të mbajë shumë shpejt takime me grupet e tifozerive që mbështesin kombëtaren, për ta diskutuar më gjerësisht këtë cështje. Për rreth 20 vite tifozët anglezë janë identifikuar shpesh për sjellje vandale në vendet mikëpritëse të kombëtares. Rasti më i freskët është në Evropianin e vitit që shkoi, ku tifozë të “Tre Luanëve” u përleshën shpesh me tifozë rus nëpër rrugët e Francës.