Futbolli evropian vlen plot 25.5 miliardë euro ky ka qenë përfundimi i një analize të thellë bërë nga bilancet e klubeve prej kompanisë Deloitte. Kompania e specializuar për analizat ekonomike ka përpiluar një studim tejet serioz duke nxjerrë edhe se kush janë kampionatet që gjenerojnë më shumë para. Kështu pesë kampionatet kryesore të kontinentit gjeneruan një rekord prej 14.7 miliardë eurosh në sezonin 2016-2017 që sipas Deloitte ishte me një rritje prej 9% krahasuar me të dhënat e sezonit para-ardhës. Premier-League-a është kampionati me më shumë vlerë ekonomike. Në fakt ky kampionat ka 6.26 miliardë euro qarkullim të ardhurash që është 86 përqind më e lartë se sa La Liga që numëron sipas Deloitte 2.9 miliardë.
Më poshtë vjen Bundesliga me dicka më pak se kampionati spanjoll edhe pse mban rekordin e shikueshmërisë me një mesatare mbi 44 mijë spektatorë për ndeshje. Serie-A ndërkohë ka rritur të ardhurat me 8% duke kaluar 2 miliardët e eurove qarkullim dhe kjo sipas Deloitte vjen pas hapjes së klubeve kryesore me tregje edhe në Azi. Nga të gjitha analizat e Deloitte spikat statistika se 92 klube angleze të Premier-League-ës dhe kategorive të tjera më poshtë, i paguan shtetit britanik 1.6 miliardë paundë taksa në vitin 2016-të. Ndërsa futbolli skocez pati një rritje me 63 përqind të ardhurasah duke i kaluar 180 milionë paundët, kjo që pas rikthimit të Rangersave në Premiership dhe ecurisë deri në grupe të Celticut në Champions.