Angli, City zyrtarizon Laporten, kostoja e epokës Guardiola shkon në 448 milionë

Sport

Aymeric Laporte

Aymeric Laporte kreu pasditen e së martës zyrtarizimin si lojtari më i ri i Manchester City. Qendërmbrojtësi francez, por me origjinë baske, nënshkroi një kontratë 5-vjeçare me kryesuesit e Premier-League-ës duke konkretizuar transferimin nga Athletic Bilbao për shifrat e 57 milionë paundëve. Në fakt shtypi anglez e ka vënë theksin pikërisht te këto vlera të majme monetare që po shpenzon City i Pep Guardiolës. Në 19 muaj që kur ka ardhur ai në krye të skuadrës, klubi ka shpenzuar shifrat tronditëse të 448 milionë paundëve, 206 milionë prej të cilëve vetëm për mbrojtës. Por megjithëse ka këto lëvizje në merkato, Guardiola ka justifikuar gjithçka. Ai ka thënë se i mirëpret kritikat, por që objektivi kryesor i klubit sipas tij ka qenë përmirësimi sa më shumë i organikës së lojtarëve. “Ka klube që shpenzojnë 300 milionë për vetëm 2 lojtarë, ndërsa ne kemi angazhuar 6 me sa di unë” – tha Guardiola, i cili përmendi se sezonin e shkuar City kishte 6 lojtarë në fund të kontratave dhe i duhej me patjetër të investonte për të zëvendësuar të larguarit. “Nëse kërkon të mbetesh në nivelet e larta, të duhet që të investosh” – ka thënë spanjolli ndërsa shtoi me shaka se ku i dihet një ditë City do të shpenzojë gjithashtu nga 200-300 milionë në vetëm një lojtar. Por ndërkohë situata me lëndimin e Leroy Sanes ka nxitur spekulimet se blutë janë interesuar edhe për Riyad Mahrezin e Leicester City-it.