Pak javë më parë Pep Guardiola këmbënguli se Manchester City nuk do të bënte një merkato të çmendur këtë vit, por ja që raportimet e mediave po thonë të kundërtën. 50 milionë euro për Jorginhon e Napolit dhe plot 20 milionë euro pagë për 5 vite kontratë. Italo-braziliani thuhet se i ka mbyllur të gjitha dhe mbetet për t’u bërë vetëm zyrtarizimi. Konfirmimin e marrëveshjes e ka bërë vetë agjenti i tij Joao Santos. Te Napoli 26-vjecari thuhet se nuk është kontaktuar as nga Ancelotti dhe kjo lë të nënkuptohet se ai nuk bënte pjesë në planet e trajnerit të ri. Por Jorginho nuk është i vetmi për Manchester City-in. Të mërkurën në mbrëmje mediat lokale raportuan me siguri se Riyad Mahrez do të jetë objektivi i radhës.
60 milionë paundë është oferta për Leicester City-in, që kështu sheh të përmbushur të gjitha pretendimet për 27-vjecarin algjerian, të cilin katër vite më parë e transferuan nga Le Havre për vetëm 500 mijë euro. Manchester Evening News raportoi se me bonuset që thuhet se do t’i premtojnë “The Cityzens” oferta mund të shkojë deri në 75 milionë. The Sun nga ana tjetër theksoi se kjo marrëveshje mes City-it dhe Leicesterit është diskutuar që në janar dhe negociatat thuhet se kanë filluar pikërisht aty ku u ndërprenë në fund të merkatos së dimrit. Nëse gjithçka konkretizohet Mahrez do të bëhet kështu lojtari më i shtrenjtë i historisë së klubit, duke tejkaluar edhe angazhimin e Aymeric Laportes, të cilin City e transferoi për 57 milionë paundë.