Angli, City fiton derbin ndaj Unites; Haaland vazhdon të shkruajë historinë

Sport

Manchester City ia doli të triumfonte në derbin e qytetit, ndaj United të trajnerit Erik ten Hag. Të fitosh 6-3 një ndeshje derbi nuk është diçka normale, por kur në skuadër ke një si Erling Haaland, çdo gjë të duket e thjeshtë. Sulmuesi norvegjez ishte protagonisti kryesor në triumfin madhështor të kampionëve në fuqi të Anglisë. Haaland shënoi 3 gola e shërbeu 2 asiste për Foden, i cili gjithashtu e mbylli me një tripletë. Ndeshje nuk pati histori. ‘Cityzens’ dominuan që nga fillimi dhe shënuan 4 herë në portën e De Gea-s brenda pjesës së parë. Antony ishte ai që shënoi për Manchester United në 10 minutat e para të fraksionit të dytë të lojës, përpara se Haaland e Foden të kompletonin tri-golëshat e tyre. Për Haaland, kjo tripletë ishe e treta në 8 javë kampionat dhe e treta radhazi në ndeshjet e luajtura në ‘Etihad Stadium’. Asnjë lojtar në historinë e ‘Premier League’-ës nuk ia ka dalë mbanë të shënojë tre tripleta kaq shpejt sa Haaland, i cili e realizoi këtë gjë në vetëm 8 ndeshje të luajtura në elitën e futbollit anglez. Michael Oëen e kishte bërë diçka të tillë në 48 ndeshje. Ndërkohë që emra si Cristiano Ronaldo, Romelu Lukaku, Jamie Vardy apo Frank Lampard. Në derbin ndaj ‘djajve të kuq’, norvegjezi mori pjesë në total në 5 gola të skuadrës së tij dhe në moshën 22 vjeç e 73 ditë, bëhet lojtari më i ri që e realizon diçka të tillë brenda një ndeshjeje. Madje në një derbi të Manchester-it, asnjë lojtar nuk kishte marrë pjesë ndonjëherë në kaq shumë gola brenda 90 minutave. Në fakt, që nga dhjetori i 1970-ës, asnjë lojtar i Manchester City nuk kishte shënuar një tripletë ndaj United, por kjo gjë u thye në minutën e 64-t, kur Haaland shënoi golin e tij të tretë dhe më vonë do të vinte edhe momenti i Foden. Me 17 gola të shënuar në 11 ndeshje në të gjitha kompeticionet deri më tani, Haaland mund të konsiderohet për momentin si lojtari më në formë i sezonit aktual, jo vetëm në Angli, por në të gjitha ligat kryesore të Europës. Është e qartë se norvegjezi do të provojë të thyejë çdo rekord përgjatë 2022/2023-shit dhe duke parë ritmin me të cilin e ka nisur, një gjë e tillë është mëse e mundshme. Kujtojmë që rekordin me më shumë gola në kampionatin anglez brenda një sezoni e mban Mohamed Salah, me 32 realizime, ndërkohë që Haaland numëron 14 brenda 8 javëve të para të këtij viti futbollistik.